Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, më datë 13 nëntor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “E drejta e pronës nën fokusin e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe në aspektin kushtetues. Juridiksioni gjyqësor në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në këtë fushë. Jurisprudenca e GJEDNJ. Zbatimi i procesit të kompensimit të pronës në Shqipëri: E drejta e pronësisë sipas jurisprudencës kushtetuese shqiptare. Jurisprudenca kombëtare dhe e GJEDNJ-së mbi Nenin 1, Protokollin 1 të KEDNJ-së”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Marsida Xhaferllari dhe Viktor Gumi
Lehtësues: Amarilda Sulaj
Qëllimi i këtij trajnimi është: t’u ofrojë magjistratëve një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi të drejtën e pronës, duke kombinuar analizën e zhvillimeve kushtetuese, ligjore dhe jurisprudenciale me fokus të veçantë te procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri. Trajnimi synon të thellojë njohuritë mbi Nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së dhe standardet e GJEDNJ-së lidhur me ligjshmërinë, interesin publik dhe proporcionalitetin, si dhe t’i pajisë pjesëmarrësit me aftësi për të orientuar dhe zbatuar saktë juridiksionin gjyqësor në këtë fushë. Po ashtu, trajnimi adreson procedurën administrative të kompensimit, sfidat e identifikuara nga GJEDNJ-ja dhe mjetet ligjore në dispozicion për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe efektiv.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- E drejta e pronësisë dhe kufizimet e saj (shpronësimi) sipas nenit 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, në optikën e jurisprudencës së GJEDNJ-së për Shqipërinë. Parimet e ligjshmërisë, interesit publik dhe proporcionalitetit;
- Standardet kushtetuese për mbrojtjen e të drejtës së pronës në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kriteret e kufizimit të së drejtës së pronës, shpërblimi i drejtë dhe mjetet mbrojtëse në dispozicion. Shpërblimi i drejtë. Ndarja e juridiksionit kushtetues nga ai gjyqësor.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, ndihmës ligjorë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.






Shkolla e Magjistraturës